8. Dita e tetë

  • Posted by Admin i Next
  • On 09/04/2020
  • 0 Comments

Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur. Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.” Dhe ato kujtonin fjalët e tij. kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve. Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to. Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre. Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.” (Lukës 24:1-12)

Një mbret i vdekur nuk vlen asgjë përveç nderimit të traditës. Gratë me erërat e mira po shkojnë drejt varrit. Të dielën herët në mëngjes.

Çfarë do mendoja në vendin e tyre?

Në traditën ku jam rritur ka një praktikë të ngjashme – ku familjarët shkojnë pranë varrit të të afërmit të tyre për të kryer nderimet të vdekurit. Eshtë thjesht një kujtim. Një nderim. Asgjë e re nuk ndodh. Çfarë ka vdekur, ka vdekur! Njëherë e përgjithmonë.

Ndaj edhe gratë tronditen kur gjejnë gurin e varrit të rrokullisur. Trupi i Jezusit mungon. Kush e ka vjedhur të vdekurin? Vjedhja e trupit është e arsyeshme. E llogjikshme. Nuk ka mundësi tjetër. A mund të ketë? Kush mund ta mundë vdekjen?

Ah, po, hebrenjtë e besonin ringjalljen. Por besonin se ringjallja do të ndodhë kur të mbarojë bota.

“Ç’e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Nuk është këtu, por është ringjallur…” (v. 6)

Nëse engjëlli nuk do të kishte folur, ndoshta grave nuk do t’ju kishte vajtur kurrë në mendje se mund të ketë ndodhur ringjallje e Jezusi.

Por, mu aty, në shtëpinë e vdekjes, fillon akti i fundit dramatik i së vërtetës së madhe të Jezusit. Ai do ta vulosë njëherë e mirë identitetin e tij. Ai do të jetë i pari që e mund vdekjen!

Jezusi nuk është i vdekur. është i gjallë. Kur i besojmë Atij, nuk i besojmë një kodi të përmbledhur rregullash prej një të vdekuri të mençur. Nuk i besojmë as një lloj feje. As thjesht një libri. As një personi që ka jetuar dikur por nuk jeton më. Kur ndjekim Jezusin, i besojmë Atij që është gjallë edhe e ka mundur vdekjen.

A ju kujtohet si ju foli “…duke thënë se Biri i njeriut duhet të dorëzohet në duart e njerëzve mëkatarë, edhe të kryqëzohet dhe të ringjalljet ditën e tretë. Dhe ato kujtuan fjalët e tij” (v.6-7)

Iu kishte folur dishepujve të tij. Jua kishte treguar të gjithë historinë. Por e kishin pasur të vështirë ta besojnë. Ta kuptojnë. Si mund ta kuptonin që ai do të ringjallej fizikisht ditën e tretë? Edhe ne do ta kishim të vështirë.

Edhe sot e kemi të vështirë. Ndoshta, ndërkohë që lexon këtë material, ti i thua vetes, që kjo është një përrallë e vështirë për ta besuar edhe sot.

Kujtohuni si ju foli…

Në ditën e Pashkës festojmë një ngjarje historike, ku Jezusi e mundi vdekjen. Një ngjarje historike, e cila nuk na ka lënë mundësi tjetër interpretimi.

Gratë u kthyen nga varri dhe iu treguan dishepujve të tjerë ngjarjen. “Dhe atyre iu dukën këto fjalë si dokrra, dhe nuk u besuan atyre.” (v.11). Sepse ishte e vështirë të besojnë që i vdekuri është ringjallur.

Por Pjetri, duket se tashmë është përshtatur me surprizat dramatike të Jezusit. Ai shkon te varri. Shikon pëlhurat prej liri të palosura. Dhe e beson historinë. Largohet prej andej i mrekulluar.

Vetëm disa ditë përpara e kishte mohuar Jezusin. Kishte tradhëtuar mësuesin. Por, nëse Jezusi e ka mundur vdekjen, kjo është një mundësi që edhe Pjetri ta fillojë nga e para marrëdhenien me Mesian.

Ai mund ta shlyejë turpin e mohimit të Jezusit, sepse Jezusi e ka mundur të keqen përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Jezusi mund t’ia pastrojë zemrën Pjetrit. Jezusi mund të ta pastrojë zemrën edhe ty.

Në ditën e Pashkës kujtojmë një ngjarje historike, që përveçse ka ndryshuar historinë e njerëzimit, mund të të ndryshojë edhe ty jetën… Shqyrtoje ringjalljen e Jezusit, edhe s’do të kesh shpjegim tjetër.. Por do të gjesh shpresë për t’ia nisur jetës nga e para!