4. Dita e katërt

4. Dita e katërt

  • Posted by Admin i Next
  • On 7 Prill, 2020
  • 0 Comments

“Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.” Luka 21:34-36

Njëherë, kur ishte rreth 6 vjeç, djalit tim i ranë në vesh tingujt periodikë, që i kushtoheshin Krijuesit. I shpjegova që shumë fe të ndryshme, e shprehin me këngë adhurimin e tyre për Zotin lart në qiell.

Disa kohë më vonë, djali dëgjoi një burrë që po këndonte në rrugë. I këndonte rakisë. Me tone të larta e kumbueshme. Zërin e shoqëronte më këmbët që i pengonin njëra tjetrën.                                                                      “Babi,” – më pyeti djali, “Po ky, kujt Zoti i këndon?”

Të mërkurën përpara se të vinte ora e vuajtjes, Jezusi, la porositë e fundit për ndjekësit e Tij…

Dhe një nga këto porosi, ishte një thirrje që jeta jonë të jetë një këngë, për Zotin e duhur.

Përditshmëria i këndon dikujt. Ndonjëherë i këndojmë ushqimit – pjata e preferuar e postuar në profilin e Facebook-ut. Ndonjëherë një pije na ndihmon të lëmë mënjanë hallet e mundimshme të kësaj bote. Një gotë. Disa gota. Sipas rastit!

Dhe shpesh, shumë shpesh, shqetësimet na e tërheqin zemrën në një “këngë” që s’ka lidhje me Zotin. Buka e kalamajve. Zënkat e pazgjidhura me komshiun. Hallet e punës. Çmimi i lartë i ushqimeve te tregu. Taksat. Papunësia. Zyrtarët dallaveraxhinj. Korrupsioni. Hajdutëria. Padrejtësia në sofrën e drejtësisë. Vrasja e të të pafajshmëve. Terrorizmi. Frika.

Megjithë këto presione të zakonishme për botën ku jetojmë, premtimi i Jezusit, është se zemrat tuaja nuk do të rëndohen, nëse i këndoni me gjithë zemër Zotit të vërtetë.

Të gjithë jemi rrugës drejt fundit. Të gjithë. Jezusi vetë, ndërsa fliste këto fjalë, ishte afër vuajtjes së tmerrshme që do përjetonte. Për shkakun të dashurisë që ka për ne. Por ai nuk premtoi vetëm që do të vdiste e do të ringjallej. Ai premtoi se do kthehej përsëri.

Dhe derisa të vijë, duhet të gjejmë këngën e duhur.

Çdo vit, kur vjen koha për të përjetuar festën e Pashkës, është si një mundësi që të dëgjosh fjalimin e Jezusit… të njëjtin fjalim që ai mbajti përpara nxënësve të tij përpara 2000 vitesh. është një thirrje për të lënë këngët e padenja të kësaj bote, edhe për t’iu kthyer këngës së tij çliruese.

Këngët e tjera – mesazhet e tjera të kësaj bote – janë këngë të përkohshme, që nuk kanë vlerë. Të gjithë zhgënjehemi prej tyre megjithëse është e vështirë ta dallojmë dështimin pa u thelluar.

Me çfarë kënge do të të gjejë Ai kur të kthehet? A do të jesh duke përjetuar dashurinë e Tij apo do të jesh duke nderuar perëndi të rreme?

Ai erdhi për të na zbuluar veten. Për të na zbuluar këngën e Tij të dashurisë për njeriun. Le ta dëgjojmë edhe ta jetojmë këtë këngë dashurie, të pakrahasueshme me asnjë këngë tjetër të kësaj bote të turbulluar… derisa Ai të kthehet prapë!