Hapat praktikë drejt një lidhjeje të shëndetshme – Pjesa e parë

Hapat praktikë drejt një lidhjeje të shëndetshme – Pjesa e parë

  • Posted by Admin i Next
  • On 29 Prill, 2021
  • 0 Comments

Shumë të krishterë e kanë të vështirë të shpjegojnë se si e përcaktojnë ata vullnetin e Perëndisë për të marrë vendime të rëndësishme në jetët e tyre apo të ndjekin hapat e duhur drejt një njohje dhe marrëdhënieje të shëndetshme e të perëndishme.

Shumë të krishterë besojnë se do të kenë një ndjenjë paqeje nëse ata po ndjekin vullnetin e Perëndisë. Ndjenjat dhe emocionet tona janë kaq të paqëndrueshme aq sa të varesh në to si një tregues për vullnetin e Perëndisë, është sikur të vendosësh të shkosh të punosh çdo ditë duke u bazuar tek moti.

Në Ungjillin e Gjonit, Jezusi e përshkruan veten si një bari që kujdeset për delet e Veta.

“Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin” (Gjoni 10:14,27).

Ndërsa zhvilloni një marrëdhënie intime me Krishtin, ju do të arrini të dalloni zërin e Tij—se si Ai ju flet, se si Ai drejton jetën tuaj. Dhe sa më shumë ta njihni Perëndinë, aq më shumë do të keni dëshirë t’ia mirëbesoni Atij jetën tuaj.

Që koha e njohjes të funksonojë, puna duhet të fillojë që më parë, – që në qëndrimin që unë duhet të kem – pra unë po futem të njoh një person, duke pasur në mendje martesën, (kjo nuk do të thotë që tani që po dal me këtë person, do të martohem) dhe vendosjen e hapave të duhur drejt një lidhjeje të shëndetshme dhe të perëndishme.

  1. Kupto çfarë e bën një martesë të vlefshme.

Martesa ka të bëjë me njohjen e Zotit, adhurimin e Zotit, varësinë ndaj Zotit, shfaqjen e Zotit dhe bërjen si Zoti. Perëndia krijoi burrin dhe gruan sipas shëmbëlltyrës së tij dhe u dha atyre përgjegjësi unike për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. Ajo që e bën martesën me vlerë është që ti, bashkëshorti yt dhe ata që të rrethojnë të shohin më shumë Perëndinë dhe dashurinë e Jezusit në këtë marrëdhënie.

  1. Ndiq kualifikimet e rëndësishme!

Në një ditë kur njerëzit po martohen në një moshë të vonë, dhe kur gjithnjë e më shumë po përdorin mblesëri në internet, ndoshta duhet të kujtojmë se martesa me të vërtetë ka të bëjë më pak me pajtueshmërinë sesa me angazhimin (përkushtimin). Mbi të gjitha, nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie më pak të përputhshme sesa një Zot i shenjtë dhe nusja e tij mëkatare. Ka një arsye që Bibla nuk ka një libër kushtuar mënyrës së zgjedhjes së bashkëshortit. Megjithatë kualifikimet janë mrekullisht të qarta dhe të thjeshta:

*A jeni të dy të krishterë?

Tek 2 Korintasve 6:14,15, Pali shkruan:

“Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë?Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? dhe ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?”

Ky pasazh paralajmëron se një i krishterë nuk duhet të hyjë në partneritet me një jobesimtar, sepse kjo do të jetë një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera dhe synime të kundërta:

-Ata nuk janë në gjendje të diskutojnë për pjesën më të çmuar dhe më intime të jetëve të tyre me parterin/en.

-Ata kanë synime dhe pritje konfliktuale.

-Ata kanë përplasje për vlerat që do t’u mësojnë fëmijëve të tyre.

-Ata kanë rrethe të ndryshme të shoqërisë.

-Ata kanë vështirësi në komunikim dhe zgjidhjen e konfliktit.

*A keni të dy të njëjtin përkushtim për rritjen shpirtërore dhe për ti shërbyer Perëndisë?

Shumë të krishterë e dinë se nuk duhet të martohen me një jobesimtar. Fatkeqësisht, ata nuk shkojnë më tej në vlerësimin e përputhshmërisë së tyre shpirtërore.

1 Gjonit 2:15 na thotë: “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Në qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të.”

Ju mund ta keni pranuar të dy Krishtin, por nëse njëri prej jush është më i fokusuar në dashurinë ndaj botës sesa në dashurinë ndaj Perëndisë, ju do të përjetoni po aq shumë konflikte sa dhe një besimtar me një jobesimtar. Synimet dhe vlerat tuaja do të ndryshojnë. Jetët tuaja do të drejtohen në drejtime të ndryshme.

Sidoqoftë, nëse po rriteni që të dy në Krishtin, ju do të përjetoni një gëzim dhe bashkëpunim të veçantë në martesën tuaj. Trajnerët e vrapimit zakonisht i inkurajojnë vrapuesit e distancave të gjata që më mirë të stërviten në grup dhe jo vetëm. Në një grup, vrapuesit e nxisin njëri-tjetrin që ta shpërfillin lodhjen dhe dhimbjen e tyre. Në fakt, një vrapues mund të vrapojë më shpejt në një grup se sa i vetëm, megjithatë të ndihet më pak i lodhur. Në të njëjtën mënyrë, dy njerëz të cilët kanë të njëjtin përkushtim ndaj Perëndisë mund ta inkurajojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin që t’i mbajnë sytë e tyre tek Krishti, ndërsa ata “vrapojnë me qendrueshmëri garën që kanë përpara” tyre (Hebrenjve 12:1).

Për të vlerësuar këtë zonë të përputhshmërisë tuaj shpirtërore, filloni duke i bërë vetes pyetje të tilla si:

-A kemi të dy të njëjtën dëshirë për të njohur dhe për t’i pëlqyer Perëndisë?

-A kam ndonjë ndjesi se njëri nga ne po vendos një fasadë për përkushtimin shpirtëror?

-A i mbështesin veprimet tona fjalët që themi?